Pe: Fc. Barcelona
Barcelona, “karburanti” kryesor për Spanjën
Kombëtarja spanjolle do të ketë 14 lojtarë katalanas për ndeshjet miqësore ndaj Anglisë e Kosta Rikës, 8 prej të cilëve kampionë bote
Kombëtaret spanjolle peshkojnë shpesh dhe në pjesën më të madhe bëhet fjalë për lojtarë të Barcelonës. Në prag të ndeshjeve të radhës, 14 është numri i lojtarëve blaugrana që kanë veshur fanellën e “Furie Rosse”, 8 prej të cilëve janë pjesë e kombëtares së madhe, kampione bote, dhe 6 me Spanjën U-21, kampione e Europës.
Për ndeshjen e 12 nëntorit kundër Anglisë së Kapelos, trajneri Del Boske ka grumbulluar: Ksavin, Valdes, Buskets, Injestën, Vilën, Fabregas, Piken dhe Pyjolinl; mungon vetëm i dëmtuar Pedro, element tjetër i Spanjës, i cili është zëvendësuar nga Negredo. Del Boske la Tiago Alkantarën në U-21. Veç Tiagos, mini-yjet e tjera janë: Montoja, Munieza, Bartra, Planas dhe Isak Kuenka, ky i fundit i parë në sfidën e Barçës kundër Viktoria Plzen në Pragë për Champions.
Rekordi i David Vilës David Vila shënoi golin e 50-të për Spanjën në ndeshjen e fundit të eliminatoreve për Euro 2012, duke u bërë kështu futbollisti i vetëm spanjoll mes 14 lojtarëve europian që kanë arritur të shënojnë 50 gola me kombëtaret e tyre. 29-vjeçari gjendet i fundit në renditje për momentin, pavarësisht se golashënuesi i Barcelonës ka ende disa sezone të tjera, në rrugën drejt rekordit të Ferenc Pushkashit, i cili ka shënuar 85 gola në 89 ndeshje, më pas vijnë Sandro Koçis i Hungarisë me 75 gola në 68 ndeshje dhe i treti Gerd Myler i Gjermanisë me 68 gola në 62 takime.
Ai kaloi rekordin e legjendës së Realit të Madridit dhe të Spanjës, Raul Gonzales, i cili është ndalur në kuotën e 44 golave në 102 ndeshje. Megjithatë, rekordi i Ali Daei me 109 gola për Iranin, ish-lojtar i Arminia Bielefeld, Bajernit të Mynihut dhe Hertës, mund të mos arrihet edhe për një tjetër gjeneratë.
Partneri i sulmit, Fernando Lorente, pa dyshim që do ta vlerësonte maksimalisht rekordin e Vilës, pasi shënoi golin e 50-të për Spanjën: “Ky është një rekord kombëtar, i cili do të jetë shumë i vështirë për t’u arritur. David është një nga lojtarët më të mirë të të gjitha kohërave dhe është e qartë se pas këtij goli historik, ai do të vazhdojë të shënojë për Spanjën edhe për shumë kohë të tjera.”
Real-Barça në orën 12.00
Kina kërkon “El Classico”-n në mesditë
Televizioni kinez kërkoi që “el clasico” spanjolle mes Realit të Madridit dhe Barcelonës të luhet në mesditën e 11 dhjetorit, në mënyrë që publiku kinez të mund ta ndjekë takimin në orare normale. Pavarësisht se spanjollët nuk preferojnë ndeshjet e mesditës, takimin e fundit kundër Osasunës në “Santiago Bernabeu” e ndoqën rreth 85 mijë spektatorë, ndeshje e përfunduar 7-1 për Realin dhe në televizione rreth 60 milionë kinezë.
“Sfida mes Realit dhe Barcelonës duhet të luhet në të njëjtën orë, sepse në Kinë do të ndiqej shumë. Spanja i ka për zemër tifozët e saj kinezë dhe për këtë arsye pranoi të ndërrohej orari i ndeshjes”, shkroi agjensia e lajmeve kineze “Xinhua”. Orari përfundimtar i ndeshjes nuk do të komunikohet më përpara se 2 javë. Producentët e televizioneve kineze janë ankuar shpesh për oraret e kampionatit spanjoll, për të cilët duhet vendosur 2 javë përpara ndeshjes, gjë që nuk ndodh në Premier Ligën angleze apo Bundesligën gjermane.