Fustani i zi

Love

βeℓℓe â๓e
Istref Haxhillari

ثndrra, përsëritur me të njëjtat pamje, i prishte gjumin Valdet Hoxhës. Sekuencat e përçudnuara shkisnin njëra pas tjetrës si film serial.
…Mugëtira, sterrë e zezë, mbështillte hapësirën. Qielli i varej tokës, derdhte shi majëmprehtë akull të ftohtë. Lumi rrëshqiste me rrapëllimë; përmes ujit të rrëmbyer lundronin pemë, trupa kafshësh dhe njerëzish gjysmë të gjallë. Ulërimat e qenieve që jepnin shpirt thernin hapësirën. Donte të këlthiste, zëri nuk i dilte …
Zgjohej dhe përpiqej ta harronte.
“ثndërr”, thoshte me vete.
I rikthehej punës së përditshme në klinikë. Nga dritarja depërtonte peizazhi i mrekullueshëm i verës. Era e padukshme davariste copëzat e reve, sillte puthjen e lehtë të dallgëve. Uji i qetë dremiste nën qiellin e përhimtë, syprinës së rrafshtë të liqenit pasqyrohej një diell i stërmadh. Nga kopshtet përreth shpërthenin aromat e stinës.
Natyra e përtërirë, peizazhi kapriçioz, klientët largonin ndijesitë; terapia e ditës bënte punën e vet.
Qetësohej.
Sa binte nata, format e lemerishme i çfaqeshin po aq ligështuese. Edhe dita trazohej shpesh nga imazhe të çuditshme. Figurat e ëndrrës kapërcenin dritën. I dukej sikur jetonte pas një muri xhami; mund t’i shihte po nuk mund t’i prekte të tjerët.
I paaftë të jepte shpjegim të arsyeshëm iu hap Martinit.
-Si e shpjegon feja? - e pyeti.
Imami soditi gjatë fytyrën e zverdhur, ku lexohej lirisht brenga.
-Vetëm besimi e shpëton njeriun nga vuajtjet e shpirtit, - i tha krejt i sigurt. - Ti e dëshiron Allahun Valdet, mos ngurro! Duke e njohur islamin shpirti yt do të njohë faljen. Ndihma që të jep feja është e thjeshtë: Jepu me të gjithë barrën që mezi e mban.
Serioz, me paraqitje misterioze, mjekrën e gjatë ngjyrë lajthie, shtjelloi pjesë të filozofisë islame nga sure të Kur’anit dhe hadithet e profetit Muhammed alehis selam. Hoxha i ditur, diplomuar në universitetin teologjik te Bejrutit ( pas dy viteve studimi në fakultetin e mjekësisë së Tiranës ), derdhte pushtetin lehtësues të besimit mbi arsyen e çoroditur.
- Allahu është më pranë njeriut nga damari i qafës së vet. Sado e ngushtë, kjo hapësirë ekziston gjithnjë si ndarje e pakapërcyeshme mes imanencës dhe transhendencës.
Valdeti kundërshtoi lehtë, pa fuqinë e mëparshme të argumentave, zbehur gradualisht. Metafizika: ide e turbullt dhe fluide, e pakonceptuar në përmasa të mjaftueshme.
-Parimi organizues gjendet mes elementeve të universit dhe ligjeve të materjes. Natyra vetëvepruese drejtohet nga rregullsi dhe forca të brendshme.
Shija e diturisë e përpinte.
Pati studjuar filozofët materialistë, anonte nga teoria e vetëmjaftueshmërisë e Fojerbahut dhe Shopenhauerit. Po prej kohësh pikëpyetje kryeneçe e pështjellonin. Dukuri të pashpjegueshme nga arsyeja vinin në dyshim bindjet ateiste.
Edhe logjika e ftohtë e Martinit.
ثndrrat. Imazhet.
Botëkuptimi islam fitonte terren, shpërhapej si ujërat e freskëta në tokën e plasaritur…
Valdet Hoxha ishte natyrë e mbyllur, nuk e jepte veten, acaret e shpirtit i bluante përbrenda në heshtje. E shoqja vinte re ndryshimin e sjelljes; përpëlitjet e dëshpëruara, zgjimin mbytur nga djersë të ftohta, zbehtësinë e fytyrës mëngjeseve.
Murmurimat e tij nuk i thoshin kurrgjë. Fjalët i kishin shteruar.
Kjo e hidhëronte.
Në të vërtetë asaj i shkonte mendja në të tjerë gjëra të liga, që natyrshëm i brengosin gratë e martuara me burra të pashëm.
Mirëpo ishte më keq se aq.
Melita jepte matematikë në një shkollë të mesme. Mbahej mirë. Fytyra ovale e zeshkët, sytë e mëdhenj të kthjellët, trupi i përpjestuar hijshëm i jepnin sensualitet. Kur qeshte i krijoheshin gropëza faqeve, si ndonjë vajze të re. Sjellja, marrëdhëniet në familje dhe me fqinjët të ngrohta, miqësore. E donte të shoqin, po qetësia u prish, bota filloi të lëkundej kur ai praktikoi së pari ritet muslimane.
U kthye në shtëpi i qetë, i kthjelluar.
-Vendosa të hyj në rrugën e Zotit, - i tha Melitës.
Zëri i plumbtë, i trandur e pa ngjyrë, u përplas orendive të dhomës me oshëtimë të zgjatur vajtuese.
-ا’thua! - u habit ajo, - Zotin e respektojmë gjithnjë.
-Kemi jetuar në hava.
-Si gjithë të tjerët, - mezi u dëgjua Melita.
-Jo, - ia ktheu prerë Valdeti.
I vendosur. I prerë.
“Ja ç’na qenka?” mendoi gruaja e sëndisur. Nuk guxoi të shfaqte hapur zemëratën e atij çasti. “Ti sapo ke hyrë në një botë , ku unë nuk ndihem rehat” deshi t’i thoshte, po Valdeti i rëndë, mospërfillës s’i dha rëndësi kundërshtisë së heshtur.
As brengës së gruas.
-Dyzet e pesë vjet larg Allahut dhe Peikamberit alejhis-selam, kohë e gjatë, - vazhdoi i ngrysur. - Padituria gjynah i madh. Ti ende nuk beson, po kjo do të ndodhë më vonë, kur ta kuptosh. Për këtë nuk dyshoj.
Vendimi tingëlloi i pakthyeshëm. Melitës iu duk se imami i zymtë dhe mjekra stërgjatë zaptuan pamjen e mjegulluar të burrit…
Tufa e qimeve bojë hiri mbuloi gjoksin e gjërë të Valdet Hoxhës. Zuri të falej çdo ditë. Më shpesh merrte abdes në xhami, po edhe në shtëpi, klinikë.
-Ju lutem, - u thoshte të sëmurëve, - sa të fal namazin.
Tërhiqej laboratorit, mbushur me koka allçie dhe fragmente nofullash. Formate dhëmbësh, rrjeshtuar sipas madhësisë, zgërdhiheshin rafteve. Klientët mërziteshin, po asnjë nuk u largua.
Dentistit të aftë ia falën lajthitjen formale.
Feja muslimane ushtrohej lirisht. Djem mjekëroshë, kokulur e të sjellshëm, shkëmbeheshin rrugëve të qytetit, përshëndesnin sipas normave të Sheriatit. Nuk përdornin alkool, as duhan. Vali e kishte pirë rakinë dhe, pas çdo seance, natyra e detyronte të ngrihej natën të villte. Vesi, kthimi orëve të vona, grindjet pa shkak morën fund si ngarkesa të panevojshme në rrugën e gjatë.
“Paska edhe të mira”, u ngroh disi Melita.
Mbrëmjeve, pasi falte akshamin, Valdeti rrinte i perënduar, kredhur në mendime të shenjta. Duart i mbante bashkuar, pëllëmbët e hapura përlart, sytë rëndom i drejtonte nga qielli. Më parë gazmor e çakërqejf, tani i zymtë, pëshpëriste gjithnjë diçka të pakuptuar.
“Kopje e hoxhës” sëndisej Melita e pafuqishme të ndryshonte rrjedhën e ngjarjeve. Pamja e mikut të ngushtë të burrit gjithnjë i kishte ngjallur neveri.
Tani shumë më tepër.
Megjithë dëshirën, u bë e paaftë të përshtatej dhe të luante skenarin e mirësjelljes me bindje të vërtetë. Gjithçka që përjetonte: trishtim i mbetur, i ftohtë. Iu nënshtrua fatit, po shpirtin ia ndrydhnin parandjenja të liga.
Natyrisht jo pa arsye.
Valdetin e pushtonin ndjesi të çuditshme. Epokat i zinin vendin njëra-tjetrës porsi pamje, ndriçuar nga shpërthime të shkurtëra vetëtimash. E ardhmja afrohej me krismë të turbullt, e kaluara zbehej shpejt, zhdukej pa kthim.
Verandës së hotel “Boranës” karshi hapësirës kaltëroshe të ujit, pinin kafen e mesditës me Martinin. Zhytur në mendime të thella rrekeshin të zhbironin labirinthet e holla të nënvetëdijes njerëzore. Përmes kaçubeve të luleborës, rrezet e gushtit i përkëdhelnin butësisht. Nga vazot e gjëra si fuçi vinte aroma e krizantemave me bohçet e mëdha dhe petalet e brishta të sapoçelura. Diku gjysmë e fshehur valëzonte me përkëdheli e verdha e tunxhtë dhe e blerta e gjethnajës së një gëmushe të vjetër e të dendur jaseminësh. Pranë saj çuçurisnin të llastuara gjimnazistet.
Në fund të asaj mesdite vajzat gazmore, fytyrëskuqur nga pijet, ia behën plot zhurmë prej katit të dytë të hotelit. Kofshët e drejta zbuluar deri lart, gjinjtë e pjekur nga dielli, gjysmë të nxjerra, sytë e ngjyer dhe vështrimet mikluese i dëshpëruan besimtarët sedërqarë.
Një vajzë e imët me sytë e ujshëm ngjyrë mjalti të errët tërhiqte vëmendjen.
Me lëvizjet e shkujdesura, zhdërvjellësinë, zhurmën.
Martini nuk ia ndau shikimin e pjerrët, si me dy mendje, pastaj u kthye i befasuar.
-Pa shiko!
Vali u nemit. Shembëlltyra e trupëzuar në siluetën përkarshi e trandi. Nadirja, dashuri e humbur nëpër shtigje absurdi, me flokët e kreshpëruar, kupat e vogla të gjinjve, vështrimin çapkën të vëngërt vezulloi e purpurt si dikur në Universitet. Dashuria e hershme u përzje me vajzën përballë.
Era e trëndafiltë fshikulloi mjekrën islame.
Nadirja vinte nga familje besimtarësh. Mes dashurisë hyri shumë shpejt kundërshtia e sertë. Të atin e arrestuan, vajza u internua diku në Myzeqe. Ai nuk mundi t’i çrrënjoste aq lehtë kujtimet; nga ajo kohë dyshonte përherë. Prapa njerëzve dhe dukurive të kohës shihte motive të dhunshme që drejtonin veprimet, sjelljet.
Vazhdoi të përpinte me sy vëngërashen e shkujdesur, që ndillte tërë epsh djemtë. Ajo kundroi e habitur burrin e pashëm me mjekrën e gjatë të murme. Diç i pëshpëriti me buzën në gaz shoqes pranë dhe ai uli kokë i turpëruar.
-Nga që janë të zbuluara, - i tha Martini duke vështruar me keqardhje pjesë sensuale të vajzave, veshur me më të shkurtrit e fundeve dhe më të ngushtat e bluzave. Në ato çaste imami ndihej vërtet i ligështuar.
Valdet Hoxhën e kapërthyen rrëmbyeshëm ndijesitë. I ndodhte shpesh.
E bija mbushte trembëdhjetë vjet asaj vere. Format femërore çelnin gonxhet e para. E kishte vënë re po nuk donte ta besonte: Nesa e tij kapërcente fëmijërinë. Si ta kishte përballë, ndjeu zërin që vinte nga gruaja e rritur brenda saj. Dhe u ftillua.
“Tamam koha” mendoi…
Ndërsa pasditja venitej dhe shpërhapej një muzg ngjyrë ari, çoi në shtëpi fustanin e gjatë me pala bojëhiri. Si të donte të prishte ( apo të plotësonte sipas tij ) paqen e ëmbël dhe harmoninë e natyrës.
-Hixhabi i Nesës, - tha sa më shpejt mundi si të hiqte fashon nga plaga. Pa lënë hapur asnjë shteg. Ashpërsia e shikimit kundërshtonte prerë buzëgazin e ftohtë.
Melita u trondit, shpirti iu shkretua. Me zemrën që gati i dilte vendit nga të rrahurat e forta, e zaptoi paniku dhe toni i zërit doli në mënyrë të pavullnetshme lutje, përgjërim.
-Valdet, nuk më duket ide e mirë.
- Hixhabi e mbron, - ia ktheu ai, duke u përpjekur të dukej sa i përmbajtur po aq
i sinqertë. Dhe duke e patur vështirë të sillej i tillë.
Një pyetje ngriu në fytyrën e Melitës, shënuar nga hidhërimi.
Ishte në kufirin e ngashërimit.
-Mos je e verbër Melita? - zemërimi i tij ngriti kurbën. Ishte plotësisht i bindur se po bënte më të mirën për Nesë.
Me sy të perënduar, tori qetësisht ligjëratën standarte që përfundoi me hadithin e hixhabit të profetit Muhammed alehis selam.
Të njëzetenëntin.
“Ndalimi i uraganit të vesit struket duarve të Allahut. Shthurja morale dhe zbulimi i kurmit janë dy anët e të njëjtit fill.”
Melitës i shterën fjalët dhe reagoi me një shpërthim të papërmbajtur lotësh. E trishtuar.
Aspak e bindur.
Valdeti zgjati dorën e ftohtë, të lagësht, kreu ritin fetar të hixhabit me veprime të përpikta. E bija u bashkua me shoqet e mbuluara. Ajo e adhuronte të atin.
Rrugëve të qytetit barisnin femra veshur kokë e këmbë. Ngjanin me nimfat e Horacit, sinmplex munditiis, ( zbukuruar nga thjeshtësia ). Muzgu i ngadaltë treste ëndrrat, shpresat. Nesa e brishtë, e pafaj, vështronte përreth paksa e habitur.
Njerëzve pothuaj nuk u bënte përshtypje.
Po Melitës së pafuqishme i ra qielli mbi kokë. Natën, zgjuar për një kohë të gjatë, peshoi domethënien e asaj që kishte nisur mbrëmjes, kur i shoqi la mjekër. Lutjet fironin ujëvarave të pikëllimit, kërcënimet e druajtura fashiteshin nën hijen e shenjtëruar të familjes.
U ndje fajtore për heshtjen e saj.
Dobësinë.
Brejtjet e ndërgjegjes mbërritën cakun e trazirave të padurueshme. Mes lotëve mallkoi burrin e nomatisur, abdesat, hixhabin.Në shpirt ndizej revolta e nënës dhe gruas.
-Të ndaloj t’i prishëshs mendjen vajzës, - e kërcënoi Vali kur i pa të bisedonin. Pastaj vështroi përqark i penduar.
Shkelja e përuljes islame i rëndoi gur varur në qafë.
Melita u nënshtrua për herë të dytë, po jeta bëhej çdo ditë më e zbrazët.
-Paski qenë muslimanë të mirë, - i tha mësuesja e kimisë. Me nota të qarta ironie të nënkuptuar. Dhe keqardhjeje.
-Erdhi koha, - uli kokën e pazonja të vazhdonte një bisedë ku i mungonin argumentat dhe e kishte të humbur davanë.
Besonte, po nuk e bindnin rregullat e pakuptimta, që vetëm Zoti nuk mund t’i ngjizte. Hixhabi, zgjedhë e shëmtuar, shpikur nga një shpirt sadist ( ajo e përjashtonte kur’anin ). Ky emër i huaj i llapashitej pareshtur në mendje, linte ndjesi neverie.
Valdeti nuk dukej shumë miqësor.
Emocionalisht ai kishte vdekur, nuk qe më tokësor. Jetonte botën e tij; e brengonin gjithfarë pengesash në rrugën e ndritur të Allahut. Besimtarët ishin misionarët e Islamit. Një pyetje e bezdisshme brente prapaskenën e mendjes dhe përpiqej të gjente mënyrën për ta shtruar sa më natyrshëm. Kërkonte vragë për të shprehur personalitetin e vet fetar, grykëderdhje për bindjen e thellë ndaj Zotit.
Derisa vendosi.
I bindur, i sigurt.
Melita korrigjonte testet e nxënësve, kur ra zilja. Tingëllima, më e zgjatur se zakonisht, i futi dridhmat. Në kuadratin e derës gjysmë të hapur, u duk si zakonisht Valdeti i zbehtë, kufomë. Mbante në dorë një qese plastike, prej së cilës vareshin palat e rrobës me ngjyrë të zezë.
Ajo nuk foli. Qe tepër e brengosur të zemërohej. Brenda vetes nuk gjente më urrejtje. Po nuk mund as ta donte të shoqin. Iu duk i largët, si të mos e kishte njohur kurrë. Soditi gjatë hidhërimin e saj dhe ndjeu demonët e fjetur t’i zgjoheshin, sytë t’i njomeshin.
Në mëngjes u largua bashkë me vajzën.
Fustani i zi dremiste dyshemesë së kuzhinës.
 
Pe: Fustani i zi

sqenke lodh fustani zi booo sa shum pucc :) :) :)<3
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top