Paske hedhur parfum!

Love

βeℓℓe â๓e
Ata rrinë në sallën e teatrit të zhgënjyer e buzagaz. Në një moment suspense, krejt papritur, kënga e muezinit nga minareja ishte dëgjuar në sallë e kishte shkaktuar të qeshura tek spektatorët. Eno sapo është kthyer nga Italia dhe qesh me mall për çudirat e Tiranës, këto rastësi që sipas tij krijojnë art e përmbi art.

Në të djathtë rri Dea, me një këmbë të hedhur tek tjetra e cila gati sa s’prek gjurin e tij. Në atë distancë milimetrike është shkruar e gjithë miqësia e tyre disavjeçare. Në një libër të shkruar deri në faqen e parafundit.

Dea shikon skenën e ndriçuar dhe herë pas here kërrus zverkun si mjellmat, vetëm e vetëm të ndjejë erën e parfumit që i vjen prej kurmit. Për një çast përfytyron Enon që i nuhat paturpësisht fundbarkun, sikur të ketë gjetur ndonjë lule të panjohur. Pastaj, lëviz në kolltuk dhe shikon orën sepse mezi po pret që shfaqja të sosë dhe ata të dy të ulen para ndonjë gote alkooli. Për dreq, Bujar Asqeriu i paska muhabetet e gjata sot dhe duket sikur muezini nuk do të këndojë më. Hedh sytë në të majtë dhe i duket sikur Eno i ka sytë tek kavilja e saj, me atë ndjesinë e tij të përhershme të fajit. Ajo gjithmonë e ka ditur se ata janë bërë për njëri - tjetrin. Por janë bërë më shumë se ç’duhet. Shpesh i dukej sikur po ta kapërcenin atë distancën milimetrike do të kryenin incest.

Eno a ikim?

Presim edhe pak, shfaqja po shkon drejt fundit.

Dea rrëmon në çantë dhe nxjerr një pako me çamakizë. Ia zgjat Enos, dhe të dy fillojnë në përtypen, ajo me nervozizëm dhe ai ashtu qetësisht e me buzën në gaz. Apatia e tij e zgjuar gjithmonë i ka pëlqyer, por cuditërisht sot i ngre nervat. “Mos jam para atyre?!”.

Imazhi i tij që i nuhat fundbarkun i shkakton një zukatje aty poshtë, dhe një shtrëngesë të ëmbël në nofulla. Zhytet ne kolltuk dhe fundi i shkon më sipër, duke zbuluar kupat e gjunjëve. I është larguar disi Enos me mendimin se ai do të përmendet e do të avitet.

Por Dea e ka zbuluar vonë se mund të ishte e bukur. Më parë, ajo nuk donte të ishte e bukur, pastaj nuk mund të ishte e bukur dhe tash së voni kishte vënë re se, mund të ishte e bukur. Dhe kjo zbulesë kishte ardhur me një valë sulmi ndaj meshkujve.

Telefoni i Enos, mikut të viteve të shkollës, e gjeti Dean në këtë fazë.

Në teatër?!

Ishte futur në dush me dilemën e një gruaje para një takimi të çuditshëm. Pastaj ishte parë lakuriq para pasqyrës dhe nuk kishte harruar ta parfumoste pakëz fundin e barkut.

“Just in case!” - ishte ngërdheshur si shtrigë para pasqyrës dhe kishte vazhduar ritualin.

Shfaqja shkon drejt fundit. “Dhe ia vlejnë duartrokitjet”, mendon Dea me ironi. Njerëzit çohen me zhurmë dhe shohin kuturu nëpër sallë. Ata të dy, tërhiqen dhe presin. Sikur fshihen.

E si të mos e duash Tiranën me gjithë këto ndodhira brenda ndodhirave – dëgjohet Eno. Dea i buzëqesh. Ai ka të drejtë, edhe miqësia e tyre fsheh një tjetër histori. Nuk është e qartë. Imazhi i tij përfund barkut sikur është zhdukur. E megjithatë asaj i pihet një gotë.

Sikur të shkonim te oborri i Galerisë së Arteve, koha është kaq e bukur – i thotë ndërsa dalin jashtë të çliruar.

Shkojmë - i thotë ai me një gjest prej emigranti që tashmë ka humbur koordinatat e qytetit. Ulen të dy në një tryezë plastike të kuqe, nën pemën e madhe, duke i lënë të kuptohet njëri-tjetrit se kishin arritur në stacionin e fundit.

Një llambë aty pranë lëshon një dritë të pambuktë si flakë e një gazaqeje në frymën e fundit. Në lokal vijnë njerëz që flasin për teatrin dhe këngën e paftuar të muezinit. Dea kërkon me sy kamarierin dhe sapo e sheh porosit konjak. Ai ngre dy gishtat si shkopa dhe bërtet:

Dy ?

Po, dhe na sill një tavëll të lutem - i përgjigjet ajo, si e shtëpisë.

Eno hedh sytë përreth me mall, dhe gjithë qejf përpiqet të gjejë ekuilibrin e tryezës, me një këmbëngulje nervangritëse.

Lëre dreqin – i thotë ajo dhe ai i bindet.

Kamarieri sjell gotat me konjak dhe para se të shkojë i hedh një vështrim diabolik Deas. Ajo nuk e prish terezinë dhe me të kthyer gotën me konjak ia shkrep:

Eno, a jemi zgjuar ndonjë mëngjes bashkë?

Atij i pëlqen drejtimi që merr biseda.

Pse bën pyetje absurde, ne kemi bërë shumë çmenduri së bashku, por …

E pra sot po shihesha në pasqyrë, ashtu cullak, pasi ti më more në telefon e më ftove në teatër.

E di që, ndërsa ti ke qenë në Itali kam ndryshuar mendim për veten? Më duket vetja e bukur dhe koha aspak për t’u humbur.

U panë gjatë në sy dhe e vazhduan bisedën pa fjalë, me valë magnetike, diku me turp e diku të pacipë, ndërsa konjaku rrëshqiste në fytet e tyre dhe drita e pambuktë binte mbi fytyrat e tyre sikur të ishin dy të rastësishëm mbi këtë dhe.

Për herë të pare, Eno ndjen se nuk mund ta zotërojë më Dean me armët e lehta të miqësisë. Ajo po i jepet sipas mënyrës së saj, tash, në këtë orë, në këtë natë, në këtë moment, në këtë tryezë pa ekuilibër. Deas ia ka dhënë truri. Jashtë çdo parashikimi, pas tre ditësh që ai kishte ardhur në Tiranë, në natën kur e shoqja e priste në shtrat, si çdo natë, me një përpikmëri martesore.

Të përfytyrova sikur nuhasje fundbarkun tim si lule – u dëgjua Dea gjysëm e dehur. Eno ndjeu se ishte futur në një lojë kumari dhe u dorëzua të luante fishat e fundit. Afroi karrigen plastike pranë të sajës, u gafurr, hodhi një vështrim ushtari përreth, dhe me fytyrën më shkatërruese që mund të gjendej, zgjati dorën e tij të madhe drejt barkut të saj, arriti fundbarkun, e eksploroi, e tërhoqi dorën prej andej dhe nuhati poshtërsisht gishtat e mesit.

Paske hedhur parfum!

Burimi: Peshkupauje
Nga: Xheke
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top