Titulli: Poezi Per Atdheun Tim
Baltës shqiptare
Të dua, baltë shqiptare!
të dua:
egërsisht,
dëshpërimisht
si ujku pyllin
si vala valën,
si balta baltën!
Se gjer mbi gju
jam brenda teje.
Se lerë kam këtu:
si ati,
gjyshi,
stërgjyshi.
Të dua, baltë shqiptare,
se gjer mbi bel
dhe përmbi bel,
jam brenda teje
e s'dal dot -
se s'dua!
Se ti më lidh
e më mban
me mjaltin tënd
dhe me pelinin tënd!
Se vdekur ka,
këtu, tek ty
dhe nëna
dhe ati
dhe gjysh-stërgjyshi!
Të dua baltë shqiptare,
magjistare,
e ëmbël dhe qetësuese
si vetë vdekja!
Se thellë jam,këtu,
brenda teje
gjer mbi gju,
gjer mbi bel
e gjer mbi krye.
Dhe dua fort të dehem,
me afshin tënd
të prehem
(ah, që tani dhe përgjithmonë!)
brenda teje.
Të të pushtoj,
të më pushtosh,
të të shtrëngoj,
të më shtrëngosh
e të më tresësh
si gjysh-stërgjyshët
e si po tret
ah, flokëbardhin
e shtatzhuriturin
babanë!
Të dua baltë shqiptare,
magjistare,
ti, mjaltë e ëmbël,
ti, helm e hidhur!
Të dua:
egërsisht,
dëshpërimisht:
si ujku pyllin,
si vala valën,
si balta baltën!
Shtator, 1943
Mitrush Kuteli, Vepra 5