braziljania
Anëtar i Nderuar
Shqipëria po arrin në lartësi të reja të zhvillimit ekonomik, politik e shoqëror. Kështu konstatohet në raportin më të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili paraqitet si një dokument inkurajues për autoritetet shqiptare dhe tepër vlerësues për të gjithë aktorët politikë, ekonomikë dhe shoqërorë që kanë kontribuar në gjithë këtë periudhë tranzicioni dhe që kanë bërë të mundur arritjen e rezultateve impresionuese të Shqipërisë nga një ekonomi e centralizuar drejt një ekonomie tregu të lirë. Ministri i Financave, Ridvan Bode, përmes një konference për shtyp ka përshëndetur raportin e FMN, duke nënvizuar vlerat pozitive që paraqiten për zhvillimin e ekonomisë në Shqipëri. Duke iu referuar raportit, Bode ka vlerësuar se në vitet e fundit, PBB për frymë është rritur më shumë se dy herë, rezultat si në asnjë vend tjetër në tranzicion, rritja ekonomike e Shqipërisë në këtë periudhë ka qenë 96%, ndërsa 17 vendet në tranzicion kanë një rritje mesatarisht prej 50%. Ky rezultat vjen në një kohë që vendet balltike që kanë rritjen më të lartë ekonomike mes vendeve në tranzicion, kanë një rritje prej 74%, vendet e BE-së me 50%, ndërkohë që vendet e tjera me ekonomi në zhvillim dhe në tranzicion kanë një rritje prej vetëm 38%. Rritja ekonomike sipas raportit, është rezultat i politikave strukturore dhe i reformave, pasi elementët e tjerë që kanë të bëjnë me transformimin e ekonomisë, me liberalizimin e çmimeve dhe të tregut etj., u ezauruan në një fazë të shkurtër gjatë fazës së parë të tranzicionit. Autoritetet shqiptare, tha më tej Bode, sipas Fondit u treguan të afta që përtej situatës energjitike rajonale dhe të brendshme të pafavorshme, të garantojnë një rritje ekonomike prej mbi 6% në dy vitet e fundit. Më tej, Bode ka theksuar se, një tjetër tregues i rëndësishëm i raportit ishte fakti se inflacioni është më i ulëti nga ai i vendeve me ekonomi të zhvilluara, (BE) dhe më i ulëti edhe midis vendeve të rajonit. "Ruajtja e një niveli të ulët të inflacionit ka qenë një prej faktorëve të stabilitetit të gjatë makroekonomik dhe të zhvillimit të shpejtë të ekonomisë shqiptare dhe rritjes së mirëqenies së përgjithshme shoqërore. Eksportet vlerësohet se po rriten me ritme shumë të shpejta dhe Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë investime qoftë në eksportet tradicionale, siç janë përpunimet aktive, ashtu edhe në fushën e mineraleve", ka vijuar më tej Bode në fjalën e tij, duke theksuar se si rezultat i këtyre zhvillimeve FMN vëren se kushtet sociale janë përmirësuar në mënyrë drastike dhe Shqipëria është graduar sipas standardeve të IDA-s. Rritja e shpejtë ekonomike, stabiliteti i çmimeve dhe reminitancat e konsiderueshme kanë bërë që Shqipëria të përmirësojë në mënyrë drastike situatën e saj sociale dhe ekonomike.