Marre nga "Shekulli"
Me rastin e nderimit të saj me titullin “Nderi i Kombit” është organizuar
një takim miqsh në sallën e Lidhjes së Shkrimtarëve
Vaçe Zela “këndon” edhe një herë për miqtë
Njerëzit lëviznin ngadalë për të zënë një copëz vend në sallën e ftohtë të
Lidhjes së Shkrimtarëve. اdokush përpiqej të mos e mbyste me asnjë lloj
zhurme (karrigeje ose bisede të zakonshme) zërin melodios që u endej rreth e
rrotull. Nuk donin ta “shqetësonin” Vaçe Zelën, ndërsa ajo këndonte edhe
prej së largu, këngët e saj të rinisë. Bashkëshorti i Vaçe Zelës, Pjetër
Radiqi, shtrëngonte duart e miqve që e uronin së pari për shërimin e shpejtë
të artistes dhe për titullin që asaj iu dha nga presidenti i Shqipërisë.
Ndërsa Hysni Zela qëndronte pranë një tryeze të vogël, mbi të cilën qëndronte
fotografia e motrës së tij të qeshur. Nëpër ato tinguj që lëshoheshin nga një
disk magnetofoni, një grua e thinjur u afrua pranë mikrofonit dhe nisi të
rrëfejë pakëz histori….
Ishte Violeta Librazhdi, shoqja e fëmijërisë së Vaçe Zelës. Kishte shkruar
një libër të tërë me kujtimet për Vaçen të cilin e prezantoi në atë takim (në
mbasditen e së enjtes). Ndër ato fletë, historia niste që nga fëmijëria,
atëherë kur Vaçja ishte nxënëse shkolle, atëherë kur veshi një vustan të
bardhë nusërie të sajuar me dorë, e doli me të në një koncert shkolle.
Ngjitej në një tribunë të improvizuar para Komitetit Ekzekutiv të Lushnjes
dhe mahniste njerëzinë me këngët “Piva ujë me dy bardhokë”, “Qilimi me mollë”
etj. Ngriti peshë njerëzinë me këngën “Azerbajxhan”. U bë artistja e vogël
e qytetit myzeqar. E kur grupet e shkollave shkonin për të dhënë shfaqje
nëpër fshatra, të gjithë pyesin- “A është ajo Vaçja”…Rëfimi i Violetës
rrjedh në të tjera kohë, në vitet e shkollës në Tiranë, në ditët kur për herë
të parë kishte parë miken e saj të zemrës me një kitarë në duar me të cilën
këndoi gjatë në dhomën e saj këngë që nuk mundej t’i këndoje dot në skenë.
Ishin këngë spanjolle, italiane e amerikane që i kishte mësuar “vjedhurazi”
nga radio. Pas dritares së shtëpisë ishin mbledhur me dhjetëra njerëz dhe
dëgjonin vajzën që këndonte aq ëmbël. Vonë e kishin kuptuar se të tjerët
ishin ngulur pas dritares. Kishin qeshur të dyja, kur ata duartokisnin pa
pushim. Pak kohë pas këtij “koncerti” të thjeshtë, në rrugët e Tiranës do të
ngjiteshin afishet “Këndon Vaçe Zela”…e kështu pas kësaj shfaqej çdo herë në
skenat e Tiranës e jashtë saj për të kënduar “Ndrisni ju llampa neoni”, “
Lemza”, “E shiu pikë-pikë”, “Gjyshja ime”, “Fëmijës së parë”, “Valsi i
lumturisë”, “Mesnatë” e të tjera e të tjera që kanë mbetur edhe sot himne të
muzikës shqiptare. Ca tinguj të këtyre këngëve u lëshuan edhe në sallën e
ftohtë të Lishjes së Shkrimtarëve, aty ku miq, familjarë e adhurues të Vaçe
Zelës ishin mbledhur të gjithë tok për nder të artistes së madhe, me rastin e
dhënies së titullit “Nderi i Kombit” nga presidenti i Shqipërisë, Alfred
Moisiu (ceremonia e dorëzimit të këtij titulli do të bëhet në 18 janar në
qytetin e Lushnjes). Ky takim u organizua nga Lidhja e Shkrimtarëve, shoqata “
Syri blu” dhe fondacioni “Soros”.
Kamenica në “Mesnatën” e Vaçes
Shumë e emocionuar, Vikena Kamenica ka nisur të këndojë muzikën napolitane
për të përshëndetur që nga larg artisten e madhe Vaçe Zela, mbretëreshën e
muzikës shqiptare. E shoqëruar nga orkestra e Akademisë së Arteve (nën
drejtimin e Robert Radosë) për minuta të tëra, zëri i Kamenicës ka
zëvendësuar tingujt e këngëve të Vaçe Zelës që ishin lëshuar në atë sallë nga
disku i një magnetofoni. Pas një pauze të shkurtër, Kamenica ka prezantuar
këngën e saj të radhës. Ishte “Mesnata” që riktheu në kujtesë kohën e ikur.
Duarttokitjet e gjata e emocionuan edhe më shumë Kamenicën. Përgëzimet e
mëpastajme e bënë që të ndihej mirë ndërsa kishte ndier frikë kur kishte
vendosur të këndonte në atë sallë “Mesnatën” e të madhes Vaçe Zela. “Nuk
është e thjeshtë të marrësh përsipër të këndosh perlat e muzikës shqiptare,
ato që kanë mbetur në kujtesën e njerëzve të ngjizura me imazhin e artistëve
tanë të mëdhenj. Ndaj ndieva pasiguri dhe shumë frikë edhe gjatë momentin që
këndoja. Nuk e dija se si do të tingëllonte në gojën time “Mesnata” e
magjishme e Vaçe Zelës”-thotë vetë Kamenica, ndërsa u thotë një “Faleminderit
” atyre që i afrohen për ta përgëzuar, atyre që i thonë “Ah moj vajzë na e
solle këtu Vaçen”. Ajo vë buzën në gaz dhe falendron pafund.
Takimi, në ndihmë për Vaçen…bashkëshorti reagon
Bashkëshorti i Vaçe Zelës: “Vaçja nuk ka nevojë për ndihma financiare”
Fondi i mbledhur do të dhurohet për fëmijët talasemikë
U tha në fillim të këtij takimi se miqtë dhe adhuruesit e këngëtares së madhe
mund të japin ndihmën e tyre financiare për kurimin e Vaçe Zelës. Edhe pas
mbarimit të mbrëmjes koncertale, kryetari i shoqatës “Syri blu”, Besim
Petrela, ka pohuar se është hapur një llogari bankare në emër të Vaçes. Por
ai nuk mundet të thotë se sa është shuma e mbledhur deri tani sepse kjo e
drejtë i takon vetëm familjarëve të saj. Përsa i përket parave të mbledhura
në takimin e së enjtes, pra në mbrëmjen koncertore me temë “Përshëndetje Vaçe
Zela”, bashkëshorti i Vaçe Zelës, z. Pjetër Rodiqi, sqaron se as ai e asnjëri
prej familjarëve nuk ka pasur dijeni për konceptimin e këtij aktiviteti si
një mbrëmje bamirësie për të ndihmuar këngëtaren e madhe. Duke falenderuar
organizatorët për nismën e marrë si dhe të gjithë të pranishmit për
kontributin e tyre modest dhe njëkohësisht tejet sinjifikativ, Rodiqi ka
sqaruar se Vaçe Zela nuk ka probleme financiare. “Vaçja kaloi një moment
vërtet shumë të vështirë për shkak të problemeve shëndetësore,- ka theksuar
ai - por për fat të mirë financat nuk përbëjnë asnjë problem për të dhe
familjarët e saj. E vetmja mungesë e pazëvendësueshme për të është largësia
nga miqtë dhe publiku shqiptar”. Më tej Rodiqi është shprehur se të ardhurat
e mbledhura për këngëtaren e madhe duhet të shkojnë tek ata që kanë vërtet
nevojë, dhe në këtë kontekst ai bëri të ditur se përfitues të shumës së
grumbulluar si pasojë e keqkuptimit, do të jenë fëmijët e prekur nga
talasemia.
__________________