FIFA ka bërë të ditur se ka përjashtuar Chelsean për një vit nga nënshkrimi me ndonjë lojtar të ri për vitin e ardhshëm, pasi ka inkurajuar një lojtar francez të thyejë kontratën e tij dhe të nënshkruajë për klubin.
Chelsea nuk do të mund të regjistrojë lojtarë të rinj, qoftë nga Anglia ose jashtë saj, gjatë dy afateve të ardhshme kalimtare, në janar 2010 dhe në fund të sezonit të ardhshëm.
Dhoma për Zgjidhjen e Konflikteve e FIFA-s, ka marrë këtë vendim pasi ekipi francez Lens është ankuar se Chelsea ka joshur Gael Kakuta për të thyer kontratën e tij me klubin francez, për të kaluar në Londër.
FIFA po ashtu ka ndaluar Kakuta-n nga loja për katër muaj dhe ka urdhëruar atë dhe Chelsan të paguajnë kompensimin dhe çmimin e stërvitjeve për Lens. Chelsea mund të ankohet ndaj këtij vendimi.