fcbesia
Anëtar i Respektuar
Alba Malltezi
Kisha vënë re vështirësi dhe probleme në të shkruar te shumë gazetarë të rinj, por letra e kushërirës sime dëshmon se gjërat po vishen dhe me lustrën e indiferencës nga ana e mësimdhënësve.
Një nga kushërirat e mia më shkroi këto ditë një e-mail: "Alba të dua shum. Un jam shum mir dhe deshirohesha qe dhe ti te jesh shum mir…". Kushërira ime e vogël shkon drejt vitit të fundit të shkollës së mesme dhe aq sa jam informuar nga prindërit e saj dhe nga mbarë fisi, është nxënëse e shkëlqyer. Flet disa gjuhë të huaja: italisht, frëngjisht, anglisht, por kjo çështja e shqipes më duket shqetësuese. Ka frekuentuar shkollat më të mira private në Tiranë dhe të gjithë janë të kënaqur me rezultatet e arrira. Ndërsa kohët e foljeve, përgjatë gjithë letrës që mora, nuk kishin të bënin fare me ato që na mëson gramatika, por edhe shumë fjalë të tjera humbnin gërma në rrugë e sipër, më keq se dhëmbët e një boksieri në prag të K.O. Gramatika e gjuhës tonë është ndër më të vështirat në të vërtetë dhe sot për sot numërohen gati me gishta ata që shkruajnë vërtetë mirë në shqip. Kisha vënë re vështirësi dhe probleme në të shkruar te shumë gazetarë të rinj, të cilët kanë kryer studimet gjatë viteve të tranzicionit, por kjo letra e kushërirës sime dëshmon se gjërat jo vetëm nuk po përmirësohen, por po vishen dhe me lustrën e indiferencës nga ana e mësimdhënësve që mesa duket e lëshojnë kollaj vlerësimin maksimal edhe për raste të dëshpëruara. Gramatika duket e parëndësishme, sidomos kur nxënësit kanë prirje për shkenca ekzakte apo arte, por besoj se një gjuhë korrekte është gjithmonë një kartëvizitë e mirë. U nxita të shkruaj periferinë e sotme pasi po lexoj dhe një libër të një autoreje franceze, Muriel Barbery, "Eleganca e Iriqit", ku një nga personazhet kryesorë, vetëm 12 vjeçe, flet kështu për gramatikën: "Unë besoj se gramatika është një portë drejt bukurisë. Kur flasim, kur lexojmë apo kur shkruajmë, kuptojmë nëse kemi shkruar apo po lexojmë një fjali të bukur. Jemi në gjëndje të dallojmë një shprehje të bukur apo një stil elegant. Por kur bëjmë gramatikë, depërtojmë në një tjetër përmasë të bukurisë së gjuhës. Të mësosh gramatikën shërben ta seleksionosh, ta vështrosh, ta shohësh lakuriq në një farë mënyre. Vetëm fakti që ekzistojnë lloje të ndryshme fjalësh që duhet t'i njohësh mirë për t'i përdorur e kombinuar siç duhet, është emocionuese. Mendoj se nuk ka gjë më të bukur, për shembull, se koncepti bazë i gjuhës, pra ekzistenca e foljeve dhe emrave…". Me siguri kështu do të shprehej për gramatikën dhe mësuese Nadja që dikur jepte mësim në shkollën e mesme të gjuhëve të huaja "Asim Vokshi", po kështu dhe i palodhuri profesor Gjovalin Shkurtaj. Ndërsa disa nga mësuesit e sotëm, duket se po ia bëjnë funeralin gramatikës e rrjedhimisht dhe shqipes.
Last edited by a moderator: