"Freedom House": Bizneset kontrollojnë tregun e medias në Shqipëri

Gjendja e medias në botë u keqësua ndjeshëm gjatë vitit 2014, duke arritur pikën më të ulët në 10 vjetët e fundit, thuhet në raportin më të fundit mbi lirinë e shtypit, të publikuar sot nga organizata Freedom House. Elen Aghekyan, analiste në këtë organizatë, thotë se përsa i përket Ballkanit perëndimor, ky rajon ka shënuar gjithashtu rënie në shumë aspekte të lirisë së shtypit. Në një intervistë me Zërin e Amerikës, zonja Aghekyan tha se shkaqet duhen kërkuar te disa faktorë, siç është përdorimi i gjërë i ligjeve për shpifjen dhe fyerjen nga zyrtarë qeveritarë apo nga figura të tjera publike kundër gazetarëve.
Zakonisht, thotë ekspertja, në këto vende, radiotelevizionet publike kanë një prirje proqeveritare dhe kjo u jep koalicioneve në fuqi një avantazh, sidomos gjatë periudhave zgjedhore. Në këto vende vërehen mjaft trysni editoriale nga pronarët e mediave. Ka gjithashtu dhunë, fizike ose verbale, kundër gazetarëve dhe zërave të pavarur, gjë që çon në vetëcensurë. Sipas saj, pronësia mbi mediat në të gjitha këto vende është mjaft e errët dhe e panjohur për publikun, gjë që çon në konflikte të shumta me interesat e ndryshme politike dhe komerciale. Për Shqipërinë, zonja Aghekyan vëren disa probleme: "Shumë nga ligjet në Shqipëri përputhen me standardet e mira evropiane, por zakonisht ajo që mungon është zbatimi. Mungojnë aftësitë strukturore për zbatimin e ligjeve të tilla, si ai për lirinë e informimit.
Problemi i vërtetë është te sistemi juridik, i cili nuk është i fortë sa duhet. Bizneset e mëdha kontrollojnë tregun e medias, i cili është shumë i vogël. Shumë nga institucionet e medias janë ende mjaft të reja dhe pa aftësi të forta pavarësie."
Zonja Aghakyan thotë se përqendrimi i mediave në duart e biznesit në Shqipëri është është një problem mjaft i madh. Për të zgjidhur këtë duhen ligje të forta dhe me masa të forta zbatuese, kundër përqendrimit. "Kërkohen gjithashtu ligje transparence që publiku të dijë se kush është pronari i këtij apo atij mediumi, apo kush ka aksione në një kompani që është pronare e një mjeti të caktuar informimi. Janë të paktë vendet që kanë patur sukses në këtë aspekt, por kjo është diçka absolutisht e rëndësishme."
Zonja Aghakyan thotë se Kosova ka patur pothuajse të njëjtat probleme gjatë vitit të kaluar, pra jo shumë lëvizje përsa i përket klasifikimit të saj. Gjatë këtij viti ajo ka qëndruar në të njëjtat parametra. Kosova, thotë ekspertja, ka probleme që lidhen me mangësitë e sistemit juridik: "Shikojmë gjithashtu mungesën e një shoqërie të fortë civile, që është me rëndësi kyçe për mbështetjen e lirisë së shtypit." Sipas saj, Kosova, si shtet i ri, duket se është në rrugë të mbarë, por i duhet dhënë kohë për t’i zhvilluar këto gjëra. Në raportin e Freedom House, vendet e rajonit radhiten si vijon: FYROM në vendin e 125, Bosnja 108, Shqipëria 97, Serbia 82 dhe Mali i Zi 79.
Të gjitha këto shtete bëjnë pjesë në kategorinë e vendeve pjesërisht të lira. Freedom House, organizatë me seli në Shtetet e Bashkuara vlerëson se në përgjithësi, liria e shtypit në botë ka rënë në vitin 2014 në pikën më të ulët në më shumë se dhjetë vjet.
Freedom House thotë se Bjellorusia, rajoni i Krimesë i aneksuar nga Rusia, Irani, Turkmenistani dhe Uzbekistani janë në mesin e dhjetë vendeve dhe territoreve që kanë vlerësimet më të ulëta për lirinë e shtypit. Në krye të listës së vendeve të lira radhiten Norvegjia, Suedia dhe Belgjika. -

noa.al
 

Konkursi Letërsisë

  • 1-Nje veshtrim, nje dashuri.

    Votat: 5 21.7%
  • 2-Agim shpërthyes

    Votat: 2 8.7%
  • 3-Për të voglën

    Votat: 1 4.3%
  • 4-Qiriu pa fjalë

    Votat: 4 17.4%
  • 5-Për të satën herë ….

    Votat: 2 8.7%
  • 6-Tik tak.

    Votat: 3 13.0%
  • 7-Nuk je më vetëm.

    Votat: 6 26.1%
Back
Top