braziljania
Anëtar i Nderuar
Botimi i Kanunit të Labërisë vjen pas botimit të librit "E drejta zakonore e Labërisë", në vitin 1994 dhe të ribotimit në vitin 2002, nga po i njëjti autor, Ismet Elezi. Botimi i këtij Kanuni, pasqyron me vërtetësi kulturën e lashtë juridike të popullit të kësaj krahine, si pjesë përbërëse e kulturës shpirtërore e materiale të kombit shqiptar. Parë nga këndvështrimi jo vetëm i shtrirjes gjeografike të saj, por edhe nga këndvështrime të tjera, botimi i Kanunit të Labërisë, paraqet rëndësi historike, etnokulturore, juridike dhe kombëtare. Shembulli i gjallë i Labërisë, ashtu si ai i trevave të tjera të Shqipërisë deri në Kosovë e më gjerë ku banojnë shqiptarë, në luftën për liri e pavarësi kombëtare kundër pushtuesve të huaj, është tepër domethënës, për të vërtetuar ato që ka thënë albanologia e njohur angleze Edith Durham: "Perandoritë e tjera erdhën e ikën, por ato kaluan mbi shpinën e shqiptarit, si uji mbi shpinën e rosës… dhe ai ruajti zakonet dhe identitetin e tij" (Durham: Brenga e Ballkanit 1991, f. 104). Kjo ishte vetëmbrojtje e mirëfilltë shoqërore, për individët dhe shoqërinë. Në Kanunin e Labërisë sanksionohen në unitet etika, një sistem vlerash të larta morale si dhe parimet themelore juridike të mbrojtjes së nderit, burrërisë, fisnikërisë, besës, mikpritjes, bujarisë, parimet e barazisë, së gjakut, të lirisë, ashtu siç pasqyrohen në të drejtën zakonore mbarëshqiptare. Për ngjashmërinë e vlerave morale dhe të parimeve juridike të së drejtës zakonore shqiptare me ato të grekëve të vjetër të përshkruara te "Iliada" e Homerit dhe në veprat e Sofokliut, Eskilit etj. kanë shkruar mjaft studiues të huaj, që nga gjysma e shekullit XIX. Edhe në kohën e tanishme, studiuesi nga Japonia e largët prof. Kazuhiko Yamamoto, i cili ka bërë hulumtime të posaçme për problemet e etikës së Kodit zakonor (Kanunit) shqiptar në planin krahasues, shpreh mendimin: "Edhe struktura etike e shoqërisë homerike, e përbërë nga besa, nderi, miku, gjaku, buka dhe hakmarrja, duket se i përket kategorisë etike të një shoqërie pa autoritet shtetëror, përfaqësuar më së miri nga struktura etike e Kanunit". Sipas autorit të botimit, "ky krahasim i përshtatet më mirë Kanunit të Labërisë, për shkak të fqinjësisë së saj me Greqinë dhe të marrëdhënieve e të ndikimeve më të mëdha të ndërsjellta në kulturën e jetën e të dy popujve që nga lashtësia. Të dy popujt kanë dhënë e kanë marrë nga njëri-tjetri". Ky opinion, i autorit të paanshëm japonez ka rëndësi për të treguar lashtësinë e kulturës së popullit shqiptar, bashkëkohëse me atë të grekëve të vjetër. Ai shërbeu për të sqaruar se ky sistem i vlerave, në një shoqëri pa autoritet shtetëror ushtron e mban gjallë sensin e drejtësisë në këtë shoqëri. Këto pikëpamje shpreh edhe autori austriak Valter Peinsipp. Aty shprehet qartë, filozofia popullore për t'u vetëqeverisur me drejtësi, sipas rregullave (normave) të së drejtës zakonore, të rrënjosura në mendje, të cilat i tregojnë se çfarë është e drejtë dhe çfarë jo, se ç'duhet bërë e çfarë jo, sesi të sillet njeriu. Dhe këtë drejtësi, populli i saj nuk mund ta gjente kurrë në ligjet e shteteve të huaja pushtuese, por ai krijoi dhe jetoi me të drejtën zakonore të tij, me ligjet e veta të pashkruara, të trashëguara brez pas brezi nga të parët, për vetëmbrojtjen e bashkësisë dhe vetëqeverisjen në njësitë vendore. Këtu qëndron thelbi i Kanuneve shqiptare. "Kjo filozofi e ligjit, - shprehet E.Durham, - qëndron edhe mbi "dhjetë urdhrat e zotit".